Fondacioni Behgjet Pacolli
  • rr. UÇK (Kompleksi QAFA), nr.231, Prishtinë 10000 KOSOVË
  • +(381) 38 222 123
  • e Hënë-e Shtunë: 08:00-16:00 - e Shtunë,Dielë: Mbyll

Inaugurohet Qendra Hulumtuese për Zhvillimin e Kosovës

qendra hulumtuese

Në ambientet e Hotelit “Swiss Diamond Prishtina” është bërë inaugurimi i Qendrës Hulumtuese për Zhvillimin e Kosovës. Veprimtaria hulumtuese e kësaj qendre do të bazohet në mendimin kritik të zgjidhjes së problemeve sipas parimeve fundamtale shkencore të zbatueshme në jetën praktike.
Ideatori dhe mbështetësi financiar i kësaj Qendre Hulumtuese për Zhvillimin e Kosovës, themeluesi i fondacionit, Behgjet Pacolli, në prani të stafit akademik, njerëzve të kulturës, shkencës, artit dhe shumë të tjerëve, ka folur për arsyet dhe nevojat e themelimit të një qendre të tillë në Kosovë.

Si rrjedhojë e ngecjeve zhvillimore dhe një perspektive të qartë për rininë e Kosovës, themeluesi i fondacionit kishte vendosur që të kontribuojë në themelimin e qendrës për hulumtim shkencor në Kosovë, e cila përbëhet nga gjashtë departamente, një shkollë dhe një institut, thuhet në një njoftim për media.

Në këtë inaugurim Pacolli ka folur për realitetin e vështirësive nëpër të cilat tashmë po përballet pjesa më e madhe e popullatës së Kosovës.

“Vendi ynë po kalon nëpër një fazë shumë të vështirë socio-ekonomike, prandaj, nevojitet angazhimi i të gjithë neve, veçanërisht i trurit të kombit për të prodhuar platforma konkrete, implementimi i të cilave do ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje”, ka thënë ai.

Duke e falënderuar stafin e Qendrës Hulumtuese, për punën e palodhshme, profesionalizmin dhe gatishmërinë për ti shërbyer një kauze kombëtare, Pacolli ka shtuar se kjo qendër ka për qëllim të krijojë platformën e bazuar në shkencë për gjenerimin e ideve kreative, strategjive efikase, burimeve njerëzore, infrastrukturës shkencore dhe edukative që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, arsimor, shkencor dhe të gjithëmbarshëm të Kosovës.

Në ceremoninë inauguruese të kësaj qendre foli edhe drejtori i saj Dr. Jahja Kokaj, i cili ka qenë nxënës i nobelistëve Basov dhe Prohoriev, si dhe bashkëpunëtor shumëvjeçar i Prof. Benton dhe Prof. Casasent zbulues të kompjuterit optik dhe teknologjive zbatuese në teknologjinë botërore.

Duke e falënderuar Pacollin, Kokaj foli për departamentet e QHZHK-së dhe mënyrën e funksionimit të tyre. Ai mes tjerash ka folur edhe për rëndësinë e veçantë që e ka ky institut në aspektin zhvillimor të Kosovës, duke përmendur edhe kuadrin hulumtues të tij i cili përbëhet nga doktorë dhe profesorë të fushave të ndryshme shkencore.

Në inaugurim foli edhe Dr. Albena Reshitaj, e cila fillimisht falënderoi themeluesin e fondacionit, Behgjet Pacollin, për punën e palodhshme dhe kontributin e madh të tij në avancimin dhe zhvillimin profesional të kuadrove të reja të Kosovës.

“Ky inaugurim është realizim i një ëndrre të paimagjinueshme për shumë shkencëtarë që fatkeqësisht punojnë jashtë vendit tonë”, tha ajo duke shtuar se, kjo është mundësia për të rinjtë e këtij vendi që ta sfidojnë vetën e tyre dhe të arrijnë sukses përmes zhillimit”.

Ky institut i cili përbëhet nga gjashtë departamente një shkollë dhe një institut, do të jetë i hapur për çdo njeri që ka përvojën, mençurinë dhe vullnetin për të kontribuar për një Kosovë me ekonomi te fortë dhe infrastrukturë dinjitoze.

Departamentet:

Departamenti i zhvillimeve bashkëkohore ekonomiko-financiare
Departamenti i zhvillimeve socio-politike
Departamenti i Shëndetësisë dhe Mirëqenies
Departamenti për kulturë dhe sport
Departamenti për arsim, shkencë dhe teknologji
Departamenti për monitorime dhe zgjidhje rekomanduese të cilësisë së ambientit, produkteve dhe shërbimeve
Shkolla ndërkombëtare e Kosovës dhe Instituti kosovar i teknologjisë

You must Login to Our site to register this event!